Përgjegjësia për vrasjen e shtatzënës në oborr të Spitalit – MSH e SHSKUK s’e thonë asnjë fjalë

Uncategorized

Shteti ka dështuar ta mbrojë edhe një viktimë të dhunës në familje. Hamide Magashi, një grua shtatzënë e moshës 35-vjeçare është vrarë në oborrin e QKUK’së, edhe pse Gjykata Themelore e Ferizajt kishte lëshuar urdhër mbrojtje për të. I dyshuar për vrasjen është ish-burri i saj, Sokol Halili, i cili ende ndodhet në arrati. Sipas Ligjit për Mbrojtje nga dhuna në familje, për ta zbatuar urdhrin mbrojtës, në mënyrë që viktima të mbrohet, organ kompetent është Policia e Kosovës.

Një vrasje makabre që është kryer të mërkurën në oborrin e Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës, ka tronditur gjithë vendin. Sokol Halili dyshohet se ka vrarë gruan e tij, Hamide Magashin, e cila ishte në javën e 41’të të shtatzënisë.

Viktima dhe i dyshuari ishin divorcuar, shkaku i dhunës së vazhdueshme psiqike e fizike. Shkaku i dhunës që i dyshuari ushtronte ndaj saj, 35-vjeçarja kishte paraqitur kërkesë për urdhër mbrojtje në Gjykatën Themelore të Ferizajt, bazuar në Ligjin për Mbrojtje nga dhuna në familje.

Gjykata ia kishte miratuar kërkesën dhe kishte lëshuar aktvendim për urdhër mbrojtje, në kohëzgjatje prej gjashtë muajve. Sipas kësaj gjykate, ky urdhër ishte lëshuar më 13 shtator dhe vlente deri më 13 mars të vitit 2023.

“Gjykata pas mbajtjes së seancës së shqyrtimit të kërkesës së urdhrit mbrojtës, me datë 13.09.2022 ka lëshuar aktvendimin për urdhër mbrojtje me të cilën ka aprovuar kërkesën për urdhër mbrojtje të palës së mbrojtur dhe palës përgjegjëse i ka shqiptuar masat mbrojtëse sipas nenit 5 dhe 6 të Ligjit për Mbrojtje nga dhuna në familje, në kohëzgjatje prej gjashtë muajve duke filluar nga data 13.09.2022 deri më datë 13.03.2023”, ka konfirmuar Gjykata.

Por, pavarësisht këtij urdhri, i dyshuari i është afruar dje viktimës kur ajo kishte dalë për të blerë diçka dhe e ka vrarë.

Sipas Ligjit për Mbrojtje nga dhuna në familje, për ta zbatuar urdhrin mbrojtjës, në mënyrë që viktima të mbrohet, organ kompetent është Policia e Kosovës.

“Organ kompetent për ekzekutimin e masave mbrojtëse është Policia e Kosovës”, parasheh paragrafi 6 i Nenit 3 të këtij Ligji.

Gazeta Express ka dërguar pyetje në Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës dhe Ministrinë e Shëndetësisë për të marrë informacione se kush është përgjegjës për sigurinë në këtë institucion, nëse ka prezencë policore apo si veprohet nëse ndonjë pacient ka urdhër mbrojtës, por deri në momentin e publikimit të tekstit s’ka marrë përgjigje nga asnjëra prej këtyre institucioneve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *